Kontrata që qeveria kërkon të lidhë me studentët e mjekësisë do të krijojë kosto shtesë në buxhet, por edhe në xhepat e atyre që zgjedhin të mos firmosin.
Sipas projektligjit të dorëzuar me shpejtësi në Kuvend, nëse studentët do të nënshkruajnë marrëveshje për të qëndruar 2 deri në 5 vite në vend, duke filluar nga ky vit akademik, do të kërkojë plot 588 milionë lekë, apo 5.6 milionë euro nga buxheti.
Shifra pritet të vijë duke u ulur në 500 milionë vitin e ardhshëm dhe 400 milionë në 2025-n, megjithëse përllogaritjet janë ende paraprake.
Një pjesë e kësaj fature do të jetë si efekt i mospagesës së tarifave nga studentët që firmosin kontratën, por pjesa kryesore i takon pagesës që do të marrin gjatë specializimeve afatgjata në mjekësi.
Ndërkohë, ligji përcakton se nëse nuk firmos kontratën, studenti do të paguajë tarifën e plotë reale të kostove të formimit të tij. Një detyrim që nuk i shpëton edhe nëse nuk punësohesh sipas kontratës në institucionet shëndetësore publike dhe private të vendit.
Drafti sqaron se për çdo student, Fakulteti i Mjekësisë shpenzohen aktualisht gati 679 mijë lekë në vit apo rreth 6 mijë e 500 euro. Tarifa vjetore e plotë që paguajnë studentët prej 45 mijë lekësh mbulon vetëm 6-8 për qind të këtyre kostove. Pjesa më e madhe e shpenzimeve shkon për të paguar personelin akademik me 70 deri në 72 për qind të totalit, ndjekur nga shpenzimet operative dhe investimet.
Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se deri në fund të vitit të shkuar ishin më shumë se 1 mijë e 200 mjekë shqiptarë që punonin jashtë. Thënë ndryshe nga vendi largohen 2 në 10 studentë të diplomuar apo 20 për qind e totalit.
Aktualisht në Shqipëri punojnë rreth 5 mijë e 400 mjekë, ose 1.93 të tillë për çdo 1 mijë banorë, ndërkohë që vetëm në rajon ky raport është 2.6 bluza të bardha për banor.