Romina, Eriglena dhe Ibrahimi janë tre të rinj që studiojnë për Fizioterapi në universitetin e Mjekësisë. Njoftimet për rritjen e pagave thonë se i ndjekin me vëmendje. Megjithatë planet e tyre për t’u larguar drejt Gjermanisë, të thurura që me ardhjen në Tiranë si studentë nuk kanë ndryshuar.
“Ne synojmë gjithmonë atë të ikurën jashtë, Gjermaninë pasi vendi pak na ofron. Nuk e shohim të ardhëm këtu, sepse nuk ka një të tillë”, shprehet studentja Romina Baeshti.
“Janë kushtet sociale ato që na shtyjnë të ikim. Pagat janë një arsye, por jo e gjitha”, thotë Eriglena Matraku.
“Edhe kushtet e punës na detyrojnë të ikim. Shfrytëzohemi më shumë paguhemi”, shton studenti Ibrahim Çikoja.
Për eksperten e punësimit, rritja e pagave pavarësisht nivelit, nuk mund t’i bëjë ballë ofertave për punësim, shoqëruar me politika lehtësuese për emigrim nga shtetet më të zhvilluara.
“Politikat lehtësuese nga vendet e tjera, kryesisht Gjermania, Italia apo SHBA e shtojnë rrezikun e largimit të të rinjve. Jemi në krizë reale për punonjës dhe rritja e pagave nuk do ta zgjidhë problemin. Duhet t’u ofrojmë më shumë për t’i mbajtur”, thekson ekspertja e tregut të punës Erka Caro.
Nga ana tjetër, Shqipëria për eksperten Caro do të fitojë një pozicion në hartën e shteteve që arrin të “joshë” të rinj, por nga vende më të varfra se yni.
“Unë mendoj se ne ashtu siç kemi krijuar një hendek me të rinjtë që largohemi, ne po krijojmë mundësi për të rinjtë nga vendet e tera. Shqipëria nuk do të jetë më vetëm vend tranzitor, por edhe pritës i të rinjve nga vendet e varfra”, vijon Caro.
Një pyetësor i zhvilluar nga qendra kërkimore EPPC në fund të vitit të shkuar gjeti se veç pagës, shqiptarët ikin për të punuar jashtë pasi nuk ndihen të vlerësuar dhe se nuk u ofrohet mundësi për t’u zhvilluar në karrierë.