Maturantët janë nën ethet e provimeve. Tashmë kanë përmbyllur testet parapërgatitore dhe vijojnë konsultimet për lëndët që do t’i nënshtrohen provimeve të maturës shtetërore. Gjimnazistët e “Sami Frashërit” nuk fshehin emocionet, por as synimet e tyre për degët më të kërkuara edhe nga tregu europian.
Drejtues të shkollës tregojnë se edhe këtë vit preferencat e maturantëve janë të ndryshme, por vendi i parë ndahet mes mjekësisë dhe inxhinierisë, për shkak të rezultateve të larta të nxënësve te “Sami Frashërit”.
Afro 10 ditë nga nisja e maturës shtetërore, drejtues të gjimnazeve flasin për masat e marra, të cilat u aplikuan edhe gjatë paraprovimeve.
Risi këtë vit është zhvillimi i testimit në ambiente të hapura, në korridore dhe palestra, si dhe mundësia e rikorrigjimit të testit për nxënësit që kanë kontestime. Provimet e Maturës Shtetërore nisin në datën 1 qershor me gjuhën e huaj, më 7 qershor është Gjuha Shqipe, Matematika më 13 qershor dhe e fundit, lënda më zgjedhje më 19 qershor.