Formula Një modifikon rregulloren vetëm pas dy garave të para të sezonit. Duke nisur nga Çmimi i Madh i Australisë, vendet e nisjes së makinave në fillimin e garës zmadhohen me 20 centimetra.
Kjo do të bëjë që postet në vijën e nisjes të jenë 2,7 metër të gjata. Vendimi ka ardhur pas polemikave me penalitetet e pësuara nga Esteban Ocon dhe Fernando Alonso. Për më tepër, Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit ka vendosur që në qendër të pikturohet një vijë vertikale, e cila do ti ndihmojë pilotët të pozicionohen sa më mirë.
Francezi i skuadrës Alpine dhe spanjolli i Aston Martin u ndëshkuan me penalitete prej 5 sekondash, për pozicionim të gabuar në vijën e startit. Kjo ndodhi edhe pse efektivisht asnjë nga pilotët nuk krijoi efektivisht asnjë avantazh nga ato situata.
Madje në pistën në Jeddah, Alonsos iu hoq përkohësisht edhe podiumi numër 100 në karrierë, për shkak të atij sanksioni. Për më tepër komisarët e pistës i dhanë një tjetër penalizim pilotit spanjoll, për shkak se mekanikët gabuan në momentin kur njëvendëshja po kryente dënimin në bokse, pasi kriko e njërit prej tyre kishte prekur makinën.
Pas apelit të Aston Martin, dënimi me 10 sekonda u hoq dhe tre orë pasi kishte hipur në podium me shampanjë në dorë, Alonso mund të festonte edhe zyrtarisht vendin e tretë në podium.