Përveç të akuzuarve për vepra penale për të cilat parashikohet burgim i përjetshëm, deri më tani çdo i pandehur tjetër ka të drejtë të kërkojë gjykim të shkurtuar. Kjo formë e posaçme gjykimi shkurton kohën e gjyqit për gjykatën dhe si shpërblim i pandehuri përfiton uljen e një të tretës së dënimit në rast fajësie.
Propozimi ligjor i qeverisë për t’i hequr të drejtën e gjykimit të shkurtuar edhe të akuzuarve për dhunë në familje dhe për krime ndaj të miturve është mirëpritur nga avokatët.
“Sepse sensi i drejtësisë është ndëshkimi i fajtorit në mënyrë të drejtë për veprën që ka kryer. Dhe gjykimi i shkurtuar i aplikuar pa kriter, në çdo lloj rasti sjell dëmtim të interesave dhe të ndjeshmërisë së publikut ndaj një krimi”, u shpreh avokati Matllia.
Sipas avokatit Matllia, eliminimi i mundësisë së gjykimit të shkurtuar, shton përgjegjshmërinë e punës së prokurorisë.
“Deri tani një pjesë e mirë e rasteve që kalojnë për gjykim të shkurtuar nuk janë dosje të mirëfillta të qepura mirë të prokurorisë. Një situatë e tillë bën që prokuroria të jetë e kujdesshme në mbledhjen e provave dhe të bëjë një gjykim ku të ballafaqohet çdo gjë”.
Ndërsa avokatja Vjollca Pustina, vlerëson se shtimi i çështjeve me gjykim të zakonshëm mund të verë në vështirësi gjykatat.
“Këto kohë janë bashkuar një pjesë e gjykatave që janë suprimuar në këto kushte i shton punën gjykatës”
Por a mund të frenojë krimin ndaj të miturve dhe dhunën në familje ky ndryshim ligjor?
“Disa autorë krimesh nuk i parashikojnë pasojat kur i kryejnë”, tha Matllia.
“Shteti të mendojë për edukimin, rehabilitimin dhe në fund ndëshkimi”, u shpreh Purina.
Projektligji në fjalë është depozituar në parlament, por për miratimin e tij kërkohet shumicë e cilësuar, të paktën 84 kartona jeshile.