Miqësore brenda grupit për të kuptuar më mirë gjendjen e lojtarëve dhe për të kristalizuar idetë për formacionin titullar.
Nga Tirana, trajneri Sylvinho e spostoi Kombëtaren në Elbasan, për një ndeshje kontrolli në kushte loje. Të pranishëm ishin 24 nga 26 futbollistët e grumbulluar, teksa grupi u plotësua me disa elementë të përfaqësueses së 19-vjeçarëve, të cilët po përgatiten për dy miqësoret me Kosovën.
Mes kuqezinjve mungojnë vetëm Kristian Asllani dhe Jasir Asani, të angazhuar me klubet e tyre. Edhe këta dy lojtarë pritet që në orët në vazhdim ti bashkohen grupit për sfidat kualifikuese të Europianit “Gjermani 2024”.
Pas humbjes në Poloni, të gjithë duan fitore në ndeshjen e parë në shtëpi dhe pikët e plota në dy ndeshjet me kundërshtarët që në letër janë më të dobëtit e grupit.
“Nuk e kemi mendjen tek pushimet, jemi profesionistë do bëjmë më të mirën për të fituar dy ndeshjet e radhës. Nuk ka Kombëtare të forta dhe të dobëta, jemi të barabartë në fushën e blertë. E kemi detyrim të fitojmë ndeshjen e parë në shtëpinë tonë. Të gjithë kemi dëshirë të ecim sa më shumë përpara, kemi Cikalleshin dhe Sadikun me eksperiencë që na ndihmojnë, atmosfera do të bëjë diferencën me Moldavinë”, tha mesfushori Qazim Laçi të shtunën
“Ndihem krenar dhe i lumtur që jam pjesë e listës për këto ndeshje, e shoh që Sylvinho pret shumë nga unë. Duhet të fokusohemi tek Moldavia dhe duhet të marrim pikët maksimale pasi të gjithë duam të arrijmë në Europian. Kemi një grup shumë të mirë dhe duhet të besojmë deri në fund për të arritur këtë ëndërr dhe për të qenë edhe njëherë në Evropian. Ja dolëm 1 herë dhe mund t’ia dalim sërish”, tha sulmuesi Ernest Muçi.
Me grupin që është plotësuar edhe nga mbërritjet e Elseid Hysajt e Taulant Seferit, përgatitjet për sfidën e datës 17 me Moldavinë kanë hyrë në fazën më të rëndësishme. Shqipëria do të kërkojë suksesin përpara tifozëve kuqezi, teksa do të synojë fitoren edhe më 20 qershor në Ishujt Faroe.