Mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara mund të pengojë zbatimin e Strategjisë për Sigurinë Kibernetike të sapo-hartuar nga qeveria.
“Një nga pikat e strategjisë është edhe certifikimi i gjithë punonjësve. Që të realizohet ky proces punonjësit duhet të rezultojnë të diplomuar në profilin e Inxhinierisë Informatike. Problemi është e sot nga te klasa për informatikë sot kemi vetëm një klasë me jo më shumë se 20 nxënës”, tha Shahin Dokuzi, ekspert i IT.
Veç rënies së numrit të të rinjve në profilin e teknologjisë së informacionit, vendi po përballet edhe me largim masiv të atyre të diplomuar e kualifikuar në këtë drejtim. Një studim i Fondacionit Europian të Trajnimeve mbi efektet e emigracionit në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, tregon se vetëm në 5 vitet e fundit, vendin e kanë braktisur mbi 2 mijë të rinj të formuar në fushën e teknologjisë së informacionit.
“Këtu kemi ngecur. Gjithë këta individë profesionistë zgjedhin të largohen në kompaninë ndërsa ata që janë në Shqipëri punojnë për kompani të huaja dhe kështu që siguria kibernetike mbetet zbuluar”, u shpreh Kristi Kumria.
Ashtu si me punonjësit shëndetësore, edhe për IT-të Gjermania mbetet destinacioni kryesor.
“Sot në Shqipëri nëse një profesionist IT merr nga 800 mijë deri në 1.5 milionë lekë duket shumë. në Gjermani paguhet mesatarisht 4 mijë euro, flas nga njerëzit që njoh. Të paguhesh 4-fish më shumë domosdoshmërisht të bën të emigrosh”, shtoi Dokuzi.
Referuar strategjisë së re të sigurisë kibernetike, për zbatimin e saj nevojiten së paku 1 mijë punonjës të formuar në drejtim të sigurisë kibernetike.