Vija bregdetare e Semanit dhe Darëzezës, në bashkinë e Fierit, mund të cilësohet si një ndër më natyralet në bregdetin e Adriatikut në vendin tonë. Rëra e kësaj vije bregdetare vlerësohet edhe si mjaft kurative. Dhe si e tillë zona frekuentohet rregullisht jo vetëm në verë por edhe gjatë stinëve të tjera.
Por insektet dhe në mënyrë të veçantë mushkonjat, duket se nuk i lejojnë vizitorëve të shijojnë natyrën e virgjër. Nënat ankohen për fëmijët, ndërsa edhe nostalgjikët nuk mund të shijojnë dot as natyrën.
“Unë vij një herë në vit se jetoj në SHBA dhe e dua këtë vendin tim. Është shqetësim i jashtëzakonshëm këto insektet. Janë të padurueshëm. U detyruam morëm pjatancat dhe u futëm brenda”.
“Sidomos kur ngrihet temperaturat janë bezdisëse si për ne dhe për fëmijët. Duhet të vëmë dorë”.
“Janë shqetësuese sidomos për ne që vijmë në kohën e darkës. Janë shqetësuese për fëmijët që kemi alergjikë. Nuk mund të vijmë dot në plazh”.
Deklarata të pushuesve në Darëzezë
Ndërsa përgjegjësia për pastrimin dhe mirëmbajtjen e 27 km vijë bregdetare është e bashkisë së Fierit, për dezinsektimin e plazheve pushteti lokal thotë se duhet të kujdeset Instituti i Shëndetit Publik. Dhe ky i fundit duhet të reagojë, pasi zona në fjalë po frekuentohet gjithnjë e më shumë jo vetëm nga vendasit, por edhe turistët e huaj.