Frank Lampard kthehet në krye të stolit të Chelsea. Pas eksperiencës si trajner te blutë nga viti 2019 deri më 2021, ish-mesfushori firmosi kontratë deri në fund të sezonit.
44-vjeçari do të ketë rolin e trajnerit të përkohshëm, në pritje që klubi të zgjedhë një trajner i cili do të nisë projektin afatgjatë në skuadër.
Së fundmi, Lampard punoi te Evertoni, skuadër nga e cila u shkarkua më 23 janar. Ai firmosi kontratën deri në muajin qershor në Stamford Bridge. Në këtë mënyrë, zgjati vetëm një ndeshje aventura e Bruno Saltor te Chelsea, i cili e drejtoi ekipin në ndeshjen e barazuar pa gola përballë Liverpool.
Në vitin 2021 Lampard u zëvendësua nga Thomas Tuchel, i cili në fund të atij sezoni arriti të triumfonte në Champions League me Chelsea. Për sezonin e ardhshëm, blutë e Londrës do të synojnë të emërojnë Julian Nagelsmann, i cili sapo u largua nga Bayern për t’u zëvendësuar pikërisht nga Tuchel.
Frank Lampard do të debutojë në krye të Chelsea këtë të shtunë në ndeshjen kundër Wolverhampton. Detyra e trajnerit të ri është që ta bëjë sa më gradual kalimin e krizës së rezultateve në skuadër, pavarësisht dhjetëra miliona eurove të shpenzuara në merkato.