Nga 1 janari i vitit 2025, bizneset në vend që hedhin në treg produkte, do të ngarkohen me detyrimin për të menaxhuar mbetjet e prodhuara. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për zbatimin e përgjegjësive të zgjeruara të prodhuesit”.
Prodhuesit do të duhet të menaxhojnë mbetjet e gjeneruara pas konsumimi të tilla si ambalazhet, bateritë, automjetet e amortizuara dhe mbetjet e pajisjeve elektrike dhe elektronike.

“Nëse ky ligj që tashmë është në “Konsultim Publik” miratohet ashtu siç duhet dhe jo duke u orientuar tek interesat, barra e menaxhimit të mbetjeve nuk do të mbahet më nga qytetarët si në drejtim të kostove shëndetësore dhe financiare.”
Rodion Gjoka – Ekspert për mjedisin
Sipas bazës së re ligjore, bizneset ngarkohen me përgjegjësi financiare për të paguar kostot e grumbullimit dhe transportimit të mbetjeve të gjeneruara nga produktet e tyre. Gjithashtu, prodhuesit duhet të investojnë në infrastrukturën e grumbullimit.

“Ndryshimet ligjore duhet të vijojnë edhe në të tjera drejtime. Nuk ka nevojë që ne të kemi tri veshje apo etiketa për një produkt. Duhet të racionalizohet përdorimi i plastikës në veçanti.”
Rodion Gjoka – Ekspert për mjedisin
Dokumenti i nxjerrë për konsultim specifikon edhe masat administrative, në rast të mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e bizneseve. Gjobat e propozuara variojnë nga 200 mijë në 2 milionë lekë. Aplikimi i bazës së re ligjore është detyrim që duhet përmbushur nga Shqipëria për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.