Një ngjarje horrori është regjistruar këtë të shtunë në Pejë, ku një djalë ka vrarë në mënyrë makabre nënën e tij.
Mediat kosovare raportojnë se autori është shtetasi Urim Hyseni, i cili pasi i ka prerë kokën nënës së tij, ka pirë gjakun e saj.
Burime e afërta me familjen Hyseni, në kushte anonimiteti kanë bërë me dije për Media Independent se konflikti mes të dyshuarit Urim Hyseni dhe nënës së tij ka filluar për shkak të akuzave të të riut se nëna është fajtore për ndarjen nga bashkëshortja e tij.
Këto burime, konnfirmuan se i dyshuari ishte i martuar me një grua nga komuna e Gjakovës, mirëpo për shkak të përkeqësimit të raporteve ai ishte ndarë nga bashkëshortja e tij, ku për këtë e fajësonte edhe nënën e tij.
Megjithatë ky është vetëm version fillestar në lidhje me motivin e krimit makabër në Pejë, por ju mbetet autoriteteve të rendit që ta konfirmojnë motivin dhe rrethanat tjera që kulmuan me humbjen e jetës së një nëne të pafajshme.
Autori i masakrës në familjen kosovare kishte pak ditë që ishte kthyer nga Gjermania për vizitë dhe pas disa ditësh do të kthehej sërish.
“Sot rreth orës 16:00 policia ka marrë një informacion në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë, me të arritur në vendin e ngjarjes kemi parë është se bëhet fjalë për vrasje të rëndë teksa vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi kujdestar”, tha zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Më tej ai bëri të ditur se i dyshuari është arrestuar nga Policia.