Federata Shqiptare e Futbollit, përmes një njoftimi për shtyp njofton se ndeshja e Superligës mes Kastriotit-Bylis, e parashikuar për t’u luajtur ditën e dielë është shtyrë për shkak të kërcënimit të arbitrave.
Sipas organit më të lartë të futbollit shqiptar, arbitrat e këtij takimi që do të luhej në stadiumin e Kamzës janë kërcënuar që mbrëmjen e kaluar dhe për këtë arsye çështja i ka kaluar autoriteteve për t’u hetuar.
“Federata e Futbollit është njohur me vendimin e të gjithë klasës arbitrale, që nuk pranon të marrë përsipër drejtimin e ndeshjeve të Klubit Kastrioti për shkak të presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme. Një javë më parë, në ndeshjen Kastrioti-Laçi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. Të ndjerë vazhdimisht të kërcënuar zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla”, shkruhet mes të tjerash në njoftim.
Kastrioti dhe Bylis ndodhen të dyja në fundin e renditjes së Superligës.