Euro shënon minimume të reja çdo ditë, por çfarë po ndodh me tregun e këmbimit? Për këtë çështje u diskutua këtë të premte në A2 Business nga Aurora Sulçe.
Artan Gjergji, ekspert për tregjet financiare, komentoi këto zhvillime, duke u shprehur se në rënien e euros nuk ka ndikuar vetëm sektori i turizmit.
“Tregu i këmbimit është kthyer në një nga tregjet që ka një ndikim të jashtëzakonshëm në forma nga më të ndryshmet. Ka mjaft segmente të caktuara të tregut, të cilat kanë një ofertë valutore, ndoshta më të madhe sesa në kushte normale. Një ndër arsyet kryesore është turizmi, por nuk është i vetmi, ka dhe sektorë të tjerë që sjellin një sasi të jashtëzakonshme të valutës së huaj. Kemi një vlerësim në tregun e brendshëm të Lekut, që nuk ndodh në tregjet ndërkombëtare.
Tregu valutor është një ekuacion me shumë ndryshore dhe i bie që duhet të ruash shumë balanca. Marrëdhënia e lekut me çdo valute është një treg më vete”, tha Gjergji.