Është hedhur, këtë të enjte, shorti që ka caktuar dy çiftet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë, i cili ka vënë përballë Vllaznia-Egnatia dhe Tirana-Teuta.
Ndeshjet e para gjysmëfinale do të zhvillohen më 26 prill, ndërsa takimet e kthimit do të luhen më 11 maj, kur do të mësohet edhe finalja e këtij edicioni, e cila do të zhvillohet më 1 qershor.
Vllaznia është fituese e dy edicioneve të fundit të Kupës së Shqipërisë. Shkodranët e kanë fituar trofeun 8 herë në histori, ndërsa Tirana mban rekordin me 16 triumfe në këtë event. Teuta e ka fituar 4 herë Kupën, ndërsa Egnatia nuk e ka fituar kurrë.